IQMT: Bizneset që nuk tërheqin produktet e papërputhshme rrezikojnë gjoba deri në 9 mijë euro
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka paralajmëruar të gjitha bizneset prodhuese, marketet dhe subjektet që tregtojnë produkte të qumështit që të tërheqin menjëherë nga tregu produktet e konstatuara si të papërputhshme, bazuar në raportet zyrtare të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Foto: Ilustrim
IQMT ka bërë të ditur se, nga dita e sotme, do të intensifikojë kontrollet në subjektet që tregtojnë këto produkte, ndërsa bizneset ku do të gjenden produkte të papërputhshme që nuk janë tërhequr nga tregu do të përballen me masa ndëshkuese.
Sipas Ligjit Nr. 08/L-279 për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, gjobat për personat juridikë mund të variojnë nga 3 mijë deri në 9 mijë euro.
IQMT thekson se mos tërheqja e produkteve me mospërputhje, përfshirë ato me përmbajtje të padeklaruar, përbën shkelje ligjore dhe cenon sigurinë dhe të drejtat e konsumatorëve.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, përmes IQMT-së, ka paralajmëruar intensifikim të mëtejshëm të kontrolleve në treg, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e respektimit të kërkesave ligjore.
