Inspektorati shton kontrollet në tekstil, verifikohen çmimet dhe etiketimi
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka intensifikuar inspektimet në bizneset e tekstilit, me fokus në respektimin e rregullave të tregtisë dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Gjatë kontrolleve po verifikohen dokumentacioni i bizneseve, faturat dhe origjina e mallrave, çmimet, etiketimi dhe deklarimi i produkteve, si dhe mënyra e zhvillimit të promocioneve dhe uljeve.
Vëmendje e veçantë po i kushtohet çmimeve të produkteve, për të parë nëse ato janë të shënuara qartë dhe nëse çmimi i paguar në arkë përputhet me çmimin e ekspozuar apo atë të promovuar gjatë aksioneve.
IQMT ka bërë të ditur se kontrollet do të përfshijnë edhe bizneset që shesin produkte të tekstilit online.
Sipas IQMT-së, Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit pranon çdo ditë ankesa nga qytetarët për raste kur çmimi i shënuar në produkt nuk përputhet me çmimin e llogaritur në arkë.
Çdo shkelje e konstatuar gjatë inspektimeve do të trajtohet në përputhje me masat ndëshkuese të përcaktuara me legjislacionin në fuqi.
IQMT u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë ankesat përmes platformës online për konsumatorë në Viber, në numrin +383 (0) 46 311 000, ose përmes adresës elektronike [email protected].
