Hapet Ambasada e Kosovës në Kuala Lumpur, Malajzi

02.05.2025

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka njoftuar zyrtarisht hapjen sot të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kuala Lumpur, kryeqytetin e Malajzisë.

Ky hap historik shënon një moment të rëndësishëm në zgjerimin e pranisë diplomatike të Kosovës dhe forcimin e lidhjeve me vendet e Azisë Juglindore.

Në një deklaratë të saj, Ministrja Gërvalla e cilësoi këtë ngjarje si “një moment i veçantë dhe një tjetër hap i suksesshëm në angazhimin tonë për të forcuar lidhjet me vendet e Azisë Juglindore dhe për të zgjeruar praninë tonë diplomatike në një nga rajonet më dinamike dhe me zhvillim më të shpejtë në botë.”

Ajo theksoi rëndësinë e Malajzisë si një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, duke shtuar se “hapja e ambasadës sonë në zemër të Kuala Lumpurit është një dëshmi e përkushtimit të përbashkët dhe e punës intensive që kemi investuar me vite për të thelluar këtë miqësi të ndërtuar me respekt e mirëkuptim mes dy vendeve tona.”

Ministrja Gërvalla shprehu lumturinë dhe krenarinë e saj për këtë arritje, duke theksuar se “tani e tutje, Ambasada jonë në Kuala Lumpur do të jetë shumë më tepër se një adresë zyrtare, do jetë një urë e re bashkëpunimi për diplomacinë, tregtinë, shkëmbimet kulturore dhe për çdo qytetar të Kosovës që do të na përfaqësojë me dinjitet në këtë pjesë të botës.”

Në fund të deklaratës së saj, Ministrja Gërvalla uroi Kosovën për këtë hap të rëndësishëm, duke thënë: “Urime Kosovë, për çdo hap që bën me guxim, përkushtim dhe krenari.”

Hapja e Ambasadës së Kosovës në Malajzi pritet të hapë dyer të reja për bashkëpunim bilateral në fusha të ndryshme dhe të forcojë më tej marrëdhëniet mes dy vendeve mike. Kjo ngjarje shënon një tjetër sukses në diplomacinë e Kosovës dhe aspiratën e saj për të qenë një aktor aktiv në skenën ndërkombëtare.