Gërvalla dënon nderimet për Mlladiqin: Serbia po tallet me Evropën, BE-ja nuk duhet ta tolerojë më
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar ashpër ndaj nderimeve shtetërore dhe ushtarake në Beograd për ish-komandantin serb të Bosnjës, Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Gërvalla ka kritikuar pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë serbë në ceremoninë e varrimit, duke përfshirë ministrin e Drejtësisë, Nenad Vujiq, si dhe përfaqësues të tjerë shtetërorë e politikë.
“Ky njeri nuk duhet kurrë më të lejohet të ulet në asnjë tryezë ku përmendet fjala drejtësi. Jo në Bruksel. Jo në Berlin. Jo në Strasburg. Askund!”, ka shkruar Gërvalla.
Ajo ka drejtuar kritika edhe ndaj Bashkimit Evropian, duke thënë se Brukseli nuk duhet të vazhdojë të tolerojë qëndrimet e Serbisë ndaj krimeve të luftës dhe gjenocidit në Srebrenicë.
“Në Bruksel flasin për Kapitullin 23. Në Beograd shtinë krisma nderi mbi arkivolin e një krimineli të gjenocidit. Në Bruksel flasin për sundimin e ligjit. Në Beograd shteti e kthen një të dënuar për gjenocid në figurë nderi”, ka deklaruar ajo.
Gërvalla e ka cilësuar nderimin e Mlladiqit si “fyerje ndaj viktimave, përbuzje ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe akt të hapur të rehabilitimit politik të një ideologjie kriminale”.
Në fund, ministrja në detyrë e Drejtësisë ka theksuar se glorifikimi i kriminelëve të luftës nuk duhet të normalizohet.
“Jo për hir të politikës. Për hir të drejtësisë. Për hir të viktimave. Dhe për hir të së vërtetës. Viktimat kurrë nuk duhet t’i harrojmë. Kurrë!”, ka shkruar Gërvalla.



