Cakolli: Vetëm së paku 10 deputetë mund ta kontestojnë drejtpërdrejt zgjedhjen e Presidentes

07.10.2026

Eugen Cakolli, ka thënë se vendimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentes së Kosovës mund të kontestohet drejtpërdrejt vetëm nga së paku dhjetë deputetë, të cilët duhet ta paraqesin kërkesën në Gjykatën Kushtetuese brenda tetë ditësh nga miratimi i vendimit.

Sipas Cakollit, nëse kërkesa nuk parashtrohet brenda këtij afati, kjo mundësi e kontestimit mbyllet.Ai ka theksuar se dërgimi i një “njoftimi” në Gjykatën Kushtetuese nuk ka, në vetvete, efekt pezullues ndaj zgjedhjes së Presidentes.

Cakolli ka shtuar se, edhe në rast se pretendohet se Kuvendi ka shkelur një aktgjykim të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese, fillimisht duhet të përcaktohet nëse janë përmbushur kushtet për shpërndarjen e Kuvendit.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese mund ta mbikëqyrë zbatimin e aktgjykimeve të saj, por kjo kompetencë nuk nënkupton automatikisht se Gjykata mund të anulojë një vendim të ri të Kuvendit duke anashkaluar kushtet e përcaktuara në nenin 113, paragrafi 5 i Kushtetutës.