Vaksinat kundër gripit sezonal pritet të arrijnë në Kosovë më 21 tetor
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se vaksinat kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të arrijnë në Kosovë më 21 tetor 2026.
Foto: Ilustrim
Sipas IKShPK-së, vonesa në furnizim është shkaktuar nga ndryshimet në përbërjen e shtameve të rekomanduara për vaksinën e gripit për hemisferën veriore. Këto ndryshime kanë ndikuar në afatet e prodhimit dhe furnizimit të vaksinave në nivel global.
Si pasojë, vaksinat për Kosovën pritet të arrijnë me 21 ditë vonesë krahasuar me afatin e planifikuar.
IKShPK ka bërë të ditur se po e përcjell nga afër procesin e furnizimit dhe, pas pranimit të vaksinave, do të njoftojë qytetarët dhe institucionet shëndetësore për fillimin e vaksinimit.
Po ashtu, qytetarët do të informohen me kohë për vendet dhe oraret ku do të mund të vaksinohen, pas përfundimit të procedurave të pranimit dhe shpërndarjes së vaksinave në institucionet shëndetësore.
IKShPK ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin.
