Apeli mund t’i ndryshojë dënimet ndaj ish-krerëve të UÇK-së, rasti Gotovina rikthen shpresat për përmbysje të aktgjykimit
Pas aktgjykimit të sotëm ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, vëmendja tashmë është përqendruar te procedurat e Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Trupi Gjykues i shpalli katër ish-krerët e UÇK-së fajtorë për akuza për krime lufte, ndërsa i shpalli të pafajshëm për të gjitha akuzat për krime kundër njerëzimit.
Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim.
Një prej rasteve që po përmendet si precedent në drejtësinë ndërkombëtare është ai i gjeneralit kroat Ante Gotovina, i cili fillimisht ishte dënuar nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë me 24 vjet burgim.
Në vitin 2012, Paneli i Apelit e përmbysi aktgjykimin e shkallës së parë dhe e shpalli Gotovinën të pafajshëm, duke urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm. Vendimi ishte marrë me shumicë votash 3 me 2.
Procedura e Apelit në rastin e ish-krerëve të UÇK-së do të zhvillohet përmes disa fazave. Pas marrjes së aktgjykimit të plotë me shkrim, palët kanë afate të përcaktuara për paraqitjen e njoftimit për ankesë dhe më pas të argumenteve të plota.
Paneli i Apelit do të shqyrtojë pretendimet për gabime në zbatimin e ligjit apo gabime të rënda faktike. Procesi nuk nënkupton një gjykim të plotë nga fillimi dhe dëshmitë nuk rishqyrtohen në të njëjtën mënyrë si në shkallën e parë.
Për shkak të kompleksitetit dhe vëllimit të madh të materialeve të rastit, procedura e Apelit mund të zgjasë deri në dy vjet.
Rasti i Gotovinës tregon se një aktgjykim i shkallës së parë mund të ndryshohet në Apel, por vendimi përfundimtar në rastin e ish-krerëve të UÇK-së do të varet nga vlerësimi i Panelit të Apelit dhe argumentet që do të paraqiten nga palët.
