Gruda: PDK pret lirimin e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

15.09.2026

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka deklaruar se partia e tij pret që nesër, pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Speciale në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të lirohen nga të gjitha akuzat.

Në një konferencë për media, rreth 18 orë para shpalljes së verdiktit, Gruda tha se PDK pret drejtësi dhe theksoi se do ta mbrojë të vërtetën për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e popullit të Kosovës.

“Ne e themi sot me shpresë dhe besim: nesër duam të festojmë. Duam t’i shohim Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin të lirë dhe në rrugën e kthimit në Kosovë”, tha Gruda.

Ai deklaroi se, në rast të një vendimi ndryshe, ai do të kundërshtohet me vendosmëri, përmes argumenteve dhe të gjitha mjeteve juridike e demokratike në dispozicion.

Gruda u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që drejtësia të bazohet në prova, standarde të barabarta dhe respekt për atë që ai e cilësoi si të vërtetën historike të Kosovës.

Duke folur për luftën e vitit 1999, deputeti i PDK-së tha se UÇK-ja dhe demokracitë perëndimore ishin në të njëjtën anë të historisë dhe se ndërhyrja ndërkombëtare i dha fund katastrofës humanitare në Kosovë.

Në fund, Gruda u bëri thirrje të gjithë akterëve publikë që të tregojnë maturi dhe të mos krijojnë panik të panevojshëm te qytetarët para shpalljes së vendimit.