Dy raste në Aeroportin e Prishtinës: Konfiskohet elektroshoku, gjashtë të huaj dyshohet se paraqitën dokumente të falsifikuara

09.09.2026

Dy raste të ndara janë raportuar më 8 shtator në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Në orën 01:00, gjatë kontrollit në valixhen e një shtetasi kosovar, është gjetur dhe konfiskuar një elektroshok me mbishkrimin “Police”. I dyshuari është intervistuar nga autoritetet dhe, me vendim të prokurorit, është liruar për procedurë të rregullt.

Ndërkaq, rreth orës 17:45, në arritje janë ndaluar gjashtë shtetas të huaj, të cilët dyshohet se kanë paraqitur dokumente të falsifikuara.

Me vendim të prokurorit, pasaportat e dyshuara për falsifikim janë konfiskuar, ndërsa të gjashtë personat janë dërguar në Qendrën e Azilit.