Deklaroi kimikate, por në pako u gjetën produkte për dobësim – Dogana ndalon mallin në vlerë 1,775 euro
Dogana e Kosovës ka zbuluar një rast të deklarimit të pasaktë të mallrave në Zyrën e Doganimit të Brendshëm në Aeroport.
Gjatë kontrollit të dokumentacionit, zyrtarët doganorë dyshuan në përshkrimin e mallit të deklaruar si “Polycarboxylate Superplasticizer”. Kontrolli fizik i pakos zbuloi se bëhej fjalë për produkte medicinale të destinuara për dobësim.
Sipas Doganës, produktet nuk ishin të aprovuara për qarkullim në treg, ndërsa për importimin e tyre kërkohet leje përkatëse nga Agjencia e Kosovës për Produkte Medicinale (AKPPM).
Vlera e mallit, pa përfshirë detyrimet dhe taksat, ishte 1,775.90 euro.Dogana ka vlerësuar se pala ka tentuar të shmangë kontrollin dhe procedurat doganore duke ndryshuar përshkrimin e mallit dhe duke deklaruar të dhëna të pasakta.
Rasti është trajtuar si kundërvajtje doganore, në bazë të Kodit Doganor dhe të Akcizave, ndërsa janë ndërmarrë veprimet përkatëse procedurale.
