Dogana ndalon katër Rolex në Vërmicë, vlera e tyre rreth 33 mijë euro
Dogana e Kosovës ka parandaluar tentativën për shmangie të detyrimeve doganore në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë, ku gjatë kontrollit të një automjeti janë zbuluar katër orë dore të markës Rolex, me vlerë të përafërt prej 33 mijë euro.
Sipas Doganës, automjeti ishte ndaluar për kontroll pasi kishte hyrë me shpejtësi të lartë në territorin e Kosovës. Gjatë pyetjes nga zyrtari doganor, udhëtari nuk kishte deklaruar se kishte mallra për të deklaruar.
Pas dyshimeve të ngritura gjatë kontrollit fillestar, automjeti është dërguar në vijën e dytë për kontroll të detajuar, ku janë gjetur katër orët Rolex.
Mallrat janë ndaluar përkohësisht në Vërmicë, ndërsa rasti është duke u trajtuar sipas procedurave dhe legjislacionit në fuqi, deri në përfundimin e procedurave doganore.
Dogana e Kosovës ka thënë se mbetet e përkushtuar në parandalimin e kontrabandës dhe shmangies së detyrimeve doganore.
