929 raste emergjente në QKUK gjatë vikendit, 53 persona të lënduar në aksidente trafiku

10.08.2026

Gjatë vikendit të fundit, në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë realizuar gjithsej 929 shërbime emergjente.

Sipas të dhënave të QKUK-së, gjatë kësaj periudhe janë trajtuar 202 pacientë në Reanimim, 280 në Emergjencën Internistike, 192 në Emergjencën Kirurgjike dhe 194 në Emergjencën Ortopedike.

Ndërkohë, 61 pacientë kanë marrë shërbime në Sallën e Vogël, ku janë kryer qepje, përpunim dhe pastrim i plagëve.

Sa i përket natyrës së lëndimeve, gjatë vikendit janë regjistruar 2 raste të lëndimeve nga armët e zjarrit, 1 rast nga armët e ftohta, si dhe 3 raste të intoksikimeve (helmimeve).

Po ashtu, 8 persona janë trajtuar pas përfshirjes në përleshje fizike, ndërsa 53 persona kanë marrë trajtim si pasojë e aksidenteve në trafik.

Gjatë së njëjtës periudhë, në klinika të ndryshme të QKUK-së janë realizuar edhe 87 pranime për trajtim, ndërsa janë regjistruar dy raste të vdekjes (exitus).