Fluks i madh në Morinë, mbi 11 mijë qytetarë të Kosovës hyjnë në Shqipëri

25.07.2026

Një fluks i madh qytetarësh dhe automjetesh është shënuar sot në pikën e përbashkët kufitare të Morinës, në fundjavën e fundit të korrikut.

Sipas të dhënave të Policisë Kufitare, vetëm gjatë orëve të para të ditës në territorin e Shqipërisë kanë hyrë mbi 11 mijë qytetarë dhe rreth 7 mijë e 400 automjete.

Shumë qytetarë nga Kosova po udhëtojnë drejt bregdetit shqiptar për fundjavë dhe pushime verore, ndërsa fluksi është shtuar edhe nga mërgimtarët që kanë ardhur në Kosovë për pushimet vjetore dhe po udhëtojnë drejt Shqipërisë së bashku me familjet e tyre.

Për të përballuar numrin e madh të udhëtarëve dhe për të shmangur pritjet e gjata, autoritetet kufitare kanë zbatuar procedura të thjeshtuara të kalimit për automjetet me targa të Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa sipas nevojës janë hapur edhe sportele shtesë.

Autoritetet parashikojnë që fluksi në pikën kufitare të Morinës të mbetet i lartë edhe gjatë ditëve në vijim, për shkak të sezonit turistik dhe pushimeve verore.