KRU “Hidroregjioni Jugor” zbulon 18 lidhje të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit
KRU “Hidroregjioni Jugor” Sh.A. në Prizren ka njoftuar se po vazhdon aksionet për identifikimin dhe eliminimin e lidhjeve të paautorizuara në rrjetin e ujësjellësit.
Sipas njoftimit të kompanisë, gjatë kësaj jave ekipet në terren kanë evidentuar gjithsej 18 lidhje të paligjshme, prej të cilave 13 në Njësinë e Prizrenit dhe 5 në Njësinë e Suharekës.
Kompania ka bërë thirrje për respektimin e rregullave dhe ka kërkuar nga qytetarët që të shmangin çdo ndërhyrje të paautorizuar në sistemin e furnizimit me ujë.
“Kontrollet në terren do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim”, thuhet në njoftimin e KRU “Hidroregjioni Jugor”, duke paralajmëruar se do të vazhdojë angazhimi për mbrojtjen e rrjetit dhe sigurimin e furnizimit të rregullt me ujë për konsumatorët.
