Të shtëna me armë gjatë festës familjare, një i arrestuar në Prizren

06.07.2026

Një person është arrestuar në Prizren pasi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri gjatë një ahengu familjar.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur rreth orës 23:00 të së shtunës, ndërsa i dyshuari, mashkull kosovar, u arrestua nën dyshimin për veprat penale “Përdorim i armës” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Gjatë ndërhyrjes, policia ka sekuestruar një pistoletë nga i dyshuari, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar edhe dy gëzhoja.

Me vendim të prokurorit, pas inicimit të rastit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.