KQZ sqaron procesin e votimit me postë: “Nuk janë evidentuar parregullsi gjatë procedurave”

18.06.2026

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka reaguar pas shqetësimeve të ngritura në publik lidhur me procesin e votimit jashtë Kosovës përmes postës, duke publikuar një sqarim të detajuar mbi mënyrën e organizimit dhe verifikimit të votave nga diaspora.

KQZ ka bërë të ditur se procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, votimit përmes postës dhe pranimit të dërgesave është zhvilluar në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe procedurat e miratuara nga ky institucion.

Sipas KQZ-së, për të rritur sigurinë e procesit, aplikuesit për votim jashtë Kosovës janë detyruar të identifikohen përmes fotografimit në momentin e regjistrimit, ndërsa secili votues i regjistruar ka pranuar dëftesën unike të regjistrimit, e cila është përdorur gjatë procesit të verifikimit të zarfeve me fletëvotime.

Për votimin jashtë Kosovës, KQZ ka organizuar 30 qendra votimi në përfaqësi diplomatike, ndërsa për votimin me postë ka hapur kuti postare në 22 shtete të ndryshme.Institucioni zgjedhor ka theksuar se gjatë tërheqjes së pakove postare jashtë Kosovës janë respektuar masat e sigurisë, përfshirë përdorimin e thasëve të sigurisë, regjistrimin e numrit të zarfeve dhe dokumentimin e të gjitha procedurave përmes raporteve dhe fotografive.

Pas arritjes së pakove në Kosovë, ato i janë nënshtruar procesit të vlerësimit për të verifikuar nëse janë dërguar nga votuesit e regjistruar. KQZ ka bërë të ditur se në këtë proces kanë qenë të pranishëm vëzhgues të akredituar dhe përfaqësues të subjekteve politike.

“Gjatë procesit të votimit përmes postës, tërheqjes së pakove, vlerësimit dhe numërimit të tyre, KQZ nuk ka pranuar asnjë ankesë dhe nuk është shënuar ndonjë vërejtje nga vëzhguesit e akredituar”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Komisioni ka ritheksuar se të gjitha fazat e procesit janë zhvilluar me transparencë dhe se organizatat monitoruese dhe subjektet politike kanë pasur mundësi të përcjellin nga afër procedurat.