Dogana e Kosovës kap mbi 30 mijë euro të padeklaruara në Bërnjak
Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zbuluar një shumë të konsiderueshme parash të padeklaruara gjatë një kontrolli rutinë në pikën kufitare të Bërnjakut.
Gjatë kontrollit të një automjeti me targa të huaja, i cili drejtohej nga shtetas të huaj, zyrtarët kanë hasur në mjete monetare të fshehura në një çantë personale.
Më herët, personat e ndaluar kishin deklaruar se nuk posedonin asgjë për deklarim.Pas verifikimit të detajuar, janë gjetur gjithsej 25,515 euro dhe 565,060 dinarë serbë, të cilat në total arrijnë vlerën rreth 30,328 euro.
Sipas autoriteteve, kjo shumë tejkalon kufirin ligjor prej 10,000 euro për deklarim të detyrueshëm në kufi.Dogana ka aplikuar masat administrative në përputhje me ligjin, duke konfiskuar 25% të shumës totale, ndërsa pjesa tjetër është ndaluar përkohësisht deri në verifikimin e prejardhjes së mjeteve financiare.
Rasti është referuar për hetime të mëtejshme nga njësitë kompetente, ndërsa Dogana e Kosovës ka theksuar përkushtimin e saj në luftimin e aktiviteteve të paligjshme dhe parandalimin e pastrimit të parave.
