Suhareka Online akreditohet nga KQZ për zgjedhjet e 7 qershorit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka akredituar median lokale Suhareka Online për përcjelljen e procesit zgjedhor të parakohshëm për Kuvendin e Republikës së Kosovës, i cili do të mbahet më 7 qershor 2026.
Sipas vendimit të KQZ-së, Suhareka Online është në mesin e 39 mediave vendore të akredituara dhe do të përfaqësohet me një vëzhgues të akredituar, i cili do të raportojë nga afër për rrjedhën e procesit zgjedhor.
Në total, KQZ ka akredituar 16,543 vëzhgues nga subjektet politike, organizatat joqeveritare, mediat vendore dhe ndërkombëtare, organizatat ndërkombëtare, përfaqësitë diplomatike dhe institucionet vendore.
Afati për aplikimin e mediave dhe organizatave për akreditim kishte zgjatur nga 5 deri më 30 maj 2026, ndërsa vëzhguesit e akredituar do të monitorojnë nga afër procesin e zgjedhjeve të 7 qershorit, të cilat mbajnë sloganin “Kosova Voton”.
Suhareka Online do të vazhdojë të informojë qytetarët në kohë reale për zhvillimet, pjesëmarrjen dhe rezultatet e procesit zgjedhor.
