Prokuroria në Hagë: Ish-krerët e UÇK-së synonin pushtetin përtej çlirimit të Kosovës

01.06.2026

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka pretenduar në dosjen e saj përfundimtare se ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, përveç qëllimit për çlirimin e Kosovës, synonin edhe marrjen e pushtetit dhe shtrirjen e kontrollit politik në vend.

Sipas Prokurorisë, katër të akuzuarit dhe persona të tjerë të lidhur me ta kanë vepruar në kuadër të një Ndërmarrjeje të Përbashkët Kriminale, duke synuar eliminimin e kundërshtarëve politikë dhe vendosjen e autoritetit të tyre në Kosovë.

Në dosje thuhet se individët që konsideroheshin kundërshtarë përfshinin persona të lidhur me LDK-në, FARK-un, si dhe pjesëtarë të komuniteteve serbe, rome dhe etnive të tjera.

Prokuroria pretendon se udhëheqja e UÇK-së dhe më vonë e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës është përpjekur të paraqitet si përfaqësuesja e vetme legjitime e shqiptarëve të Kosovës, duke sfiduar strukturat politike të udhëhequra nga Ibrahim Rugova dhe Bujar Bukoshi.

Në dosje thuhet gjithashtu se pas sulmit ndaj familjes Jashari në mars të vitit 1998, UÇK-ja ndërmori hapa konkretë për zgjerimin e organizimit politik dhe ushtarak në terren, ndërsa pas përfundimit të luftës dhe tërheqjes së forcave serbe në qershor 1999, strukturat e saj morën nën kontroll institucione të ndryshme në Kosovë.Ish-krerët e UÇK-së i kanë mohuar të gjitha akuzat, duke u deklaruar të pafajshëm.

Mbrojtja ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë, duke argumentuar se UÇK-ja ishte një organizim çlirimtar dhe se nuk ekzistojnë prova që vërtetojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Rasti ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit po vazhdon në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ndërsa vendimi pritet të merret pas shqyrtimit të të gjitha provave dhe argumenteve të paraqitura nga palët.