Kryeziu: Diferenca totale e keqpërdorimeve është 68 mijë e 17 vota në Prizren, vetëm në një klasë s’pati keqpërdorime
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka deklaruar se në Komunën e Prizrenit janë evidentuar keqpërdorime serioze gjatë procesit të numërimit të votave, ku janë shtuar mbi 40 mijë vota dhe janë hequr mbi 27 mijë të tjera. Sipas tij, diferenca totale e manipulimeve arrin në 68 mijë e 17 vota.
Foto: Ilustrim
Kryeziu theksoi se ka raste ekstreme të ndërhyrjes, ku vetëm në një vendvotim janë manipuluar deri në 2 mijë e 444 vota, ndonëse aty kanë votuar shumë më pak qytetarë.
Ai shtoi se në gjithë rajonin e Prizrenit është identifikuar vetëm një vendvotim – një klasë e vetme – që ka rezultuar pa asnjë keqpërdorim, me zero ndërhyrje.Sipas kryeprokurorit, një manipulim i tillë masiv nuk do të ishte i mundur pa përfshirjen dhe kompromisin e komisionerëve të deleguar nga katër partitë më të mëdha politike.
Ai shpjegoi se sistemi zgjedhor parashikon që komisionerët të jenë mekanizëm kontrollues, me role të ndara dhe me përgjegjësi të përbashkët në nënshkrimin e procesverbaleve për ta legjitimuar rezultatin.
“Po flasim për një organizim të qëllimshëm dhe të drejtpërdrejtë për të deformuar rezultatin zgjedhor dhe për të cenuar vullnetin e qytetarëve. Sipas rregulloreve, komisionerët nuk do të duhej të numëronin apo regjistronin vota, por hetimet e deritanishme tregojnë se ka ndodhur e kundërta”, tha Kryeziu, duke nënvizuar se përgjegjësia është kolektive dhe e koordinuar.
