Gjuajtën me armë zjarri në një aheng familjar, identifikohet një femër dhe një burrë në Banjë të Malishevës
Policia e Kosovës ka identifikuar dy persona të dyshuar, të cilët ishin shfaqur në rrjete sociale duke shtënë me armë gjatë një ahengu familjar në fshatin Banjë të Malishevës.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, rasti ka ndodhur më 10 gusht 2025, rreth orës 22:00, ndërsa identifikimi i të dyshuarve është bërë më 24 dhjetor 2025. Të dyshuarit janë një mashkull dhe një femër, shtetas të Republikës së Kosovës.
Pas veprimeve hetimore, personat e dyshuar kanë dorëzuar vullnetarisht një pistoletë, e cila dyshohet se është përdorur gjatë incidentit. Lidhur me rastin, me vendim të prokurorit kompetent është iniciuar procedurë penale për veprat “Përdorim i armës” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt, ndërkohë që organet e rendit po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Policia e Kosovës ka apeluar sërish tek qytetarët që të përmbahen nga përdorimi i armëve, veçanërisht në ahengje dhe tubime familjare, duke theksuar se veprime të tilla përbëjnë rrezik serioz për sigurinë publike.