Rritet numri i aksidenteve, brenda 24 ore regjistrohen 85 – një me fatalitet

24.12.2025

Policia e Kosovës ka publikuar raportin ditor me të dhëna të përgjithshme për 24 orët e fundit, duke bërë të ditur statistikat e aksidenteve në trafik, arrestimet dhe gjobat e shqiptuara.

Sipas këtij raporti, gjatë kësaj periudhe është shënuar një aksident trafiku me fatalitet, ndërsa janë regjistruar 34 aksidente me persona të lënduar dhe 50 aksidente me dëme materiale.

Ditëve të fundit, qarkullimi në komunikacion është vështirësuar ndjeshëm si pasojë e rritjes së fluksit të automjeteve, kryesisht për shkak të ardhjes së mërgimtarëve në vend. Kjo ngarkesë e shtuar në rrugë ka ndikuar në rritjen e rrezikut për aksidente, veçanërisht në akset kryesore dhe zonat urbane.

Përveç ngarkesës në trafik, Policia e Kosovës thekson se aksidentet shkaktohen edhe nga shpejtësia e papërshtatshme, mosrespektimi i sinjalizimit rrugor, parakalimet e rrezikshme, përdorimi i telefonit gjatë vozitjes, si dhe ngasja nën ndikimin e alkoolit.

Në kuadër të zbatimit të ligjit, gjatë 24 orëve të fundit policia ka shqiptuar gjithsej 2 mijë e 311 gjoba trafiku, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë.

Po ashtu, në këtë periudhë janë arrestuar 32 persona, prej të cilëve 24 janë dërguar në mbajtje, ndërsa tre persona janë dërguar në vuajtje të dënimit.

Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë ditëve me fluks të lartë të automjeteve.