Arrestohet edhe një 23-vjeçar në Prizren për shitje dhe shpërndarje të kokainës e marihuanës
Një tjetër aksion i suksesshëm i Njësisë Kundër Trafikimit me Narkotikë (DHTN) është realizuar pasditen e djeshme në Prizren, ku është arrestuar një person i dyshuar për shitje dhe shpërndarje të substancave narkotike.
Sipas informatave që ka siguruar redaksia nga burime të besueshme, aksioni është zhvilluar në kuadër të planit operativ “Rrjeta 2025–2026”. Hetuesit e DHTN-së kanë ndaluar të dyshuarin M.B., rreth 23-vjeçar, në rrugën “Petrit Bytyqi”, afër banesës së tij, pasi ndaj tij kishte informacione operative se po shpërndante kokainë dhe marihuanë në qytetin e Prizrenit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit dhe gjyqtarit të procedurës paraprake, është kryer kontroll i detajuar ndaj të dyshuarit, veturës dhe banesës së tij. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar sasi të ndryshme të marihuanës dhe kokainës, peshore elektronike, qese për paketim, grinderë, telefon mobil si dhe mjete të tjera që dyshohet se janë përdorur për aktivitetin e kundërligjshëm.
Sipas vlerësimeve fillestare, vlera e substancave narkotike të sekuestruara në tregun e zi arrin rreth 1.500 euro.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit policor. Hetimet lidhur me këtë rast po vazhdojnë nga DHTN – Njësia në Prizren.