Bexhet Kuqi zgjedhet Kryesues i Kuvendit në Suharekë – nis mandatin e tij të tretë
Sot, më 9 dhjetor 2025, në Suharekë është mbajtur mbledhja inauguruese e Kuvendit Komunal, ku u betua Kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, si dhe asamblistët e rinj që do të përbëjnë përbërjen e re të legjislaturës.
Foto: Ilustrim
Po ashtu, në këtë mbledhje u zgjodh edhe kryesuesi i ri i Kuvendit Komunal.
Me shumicë votash, kryesues i Kuvendit të Komunës së Suharekës u zgjodh Bexhet Kuqi.
Propozimet për kryesues
- AAK – Aziz Bytyqi propozoi Bexhet Kuqin, duke theksuar përgatitjen profesionale dhe eksperiencën e tij me dy mandate.
- LDK – Urim Suka propozoi Nexhat Ramadanin, duke nënvizuar përvojën e tij në asamble dhe menaxhimet brenda komunës.
- PDK – Dardan Berisha deklaroi se subjekti i tij nuk ka kandidat për këtë pozitë.
- LVV – Laureta Tafaj po ashtu deklaroi se nuk ka propozim.
- NISMA – Jehona Rrafshi gjithashtu nuk paraqiti propozim.
Formimi i komisionit mbikëqyrës
U formua komisioni prej 5 anëtarësh për mbikëqyrjen e procesit të zgjedhjes së kryesuesit:
- AAK – Visar Akuqi
- LDK – Astrit Salihu
- PDK – Labinot Halitjaha
- LVV – Liridon Fondaj
- NISMA – Rrafshi Lumi
Komisioni u miratua unanimisht.
Procesi i votimit
Nga gjithsej 27 anëtarë të Kuvendit, 26 ishin të pranishëm dhe nënshkruan procesin, ndërsa një anëtar, Ardian Shala, nuk mori pjesë.
Pas numërimit të votave, komisioni bëri të ditur rezultatin:
- Bexhet Kuqi – 16 vota
- Nexhat Ramadani – 7 vota
- 3 vota të pavlefshme

Me 16 vota, Bexhet Kuqi u zgjodh kryesues i Kuvendit të Komunës së Suharekës.
Fjala e Kryesuesit të ri, Bexhet Kuqi
Bexhet Kuqi, pas marrjes së detyrës, deklaroi:
“Ju falënderoj të gjithë që më dhatë besimin dhe votën. Është ndjenjë e veçantë të marr detyrën e kryesuesit. Do të jemi transparentë, llogaridhënës, do të punojmë pa dallime politike dhe në të mirën e qytetarëve të Suharekës. Ky mandat i takon qytetarëve dhe do të bëj çmos që ta mbroj.”
Mbledhja u zhvillua në atmosferë institucionale dhe shënon fillimin e legjislaturës së re të Kuvendit Komunal të Suharekës.