64 mijë aplikime nga diaspora, sot dita e fundit për regjistrim
Interesim i madh nga diaspora për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se deri sot në mëngjes 63,997 votues nga mërgata kanë aplikuar për t’u regjistruar dhe për të ushtruar të drejtën e votës.
KQZ e ka rikujtuar se 6 dhjetori 2025 është afati i fundit për regjistrimin e votuesve jashtë vendit, duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve në diasporë të mos e humbin mundësinë për të marrë pjesë në procesin zgjedhor.
“Deri tani kanë aplikuar për regjistrim 63,997 votues nga diaspora. Mos e humb mundësinë tënde që zëri yt të dëgjohet! Afati i fundit për regjistrim: 6 dhjetor 2025”, thuhet në njoftimin e KQZ-së të publikuar në Facebook.
Votuesit nga diaspora përbëjnë një pjesë të rëndësishme të elektoratit, dhe çdo cikël zgjedhor shoqërohet me interesim të lartë për pjesëmarrje nga komuniteti shqiptar jashtë vendit.
KQZ pritet të publikojë numrin final të aplikimeve pas përfundimit të afatit të sotëm.