KQZ: Fletëvotimet për diasporën nuk mund të dërgohen para datës 21 dhjetor
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur mbledhjen e radhës për shqyrtimin e pikave të ditës para zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
KQZ në kuadër të pikave të ditës ka shqyrtuar rekomandimin për themelimin e komisionit për shqyrtimin e kundërshtimeve administrative.
Besnik Buzhala, Drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike rekomandoi emrat e anëtarëve të këtij komisioni.
“Komisioni do të ketë detyrë për shqyrtimin dhe trajtimin e të gjitha kundërshtimeve të paraqitura nga persona që jetojnë jashtë Kosovës të cilëve iu është refuzuar regjistrimi për votim jashtë vendit, si dhe shqyrtimin e kërkesave për shqyrtimin ose korrigjimin e regjistrimit. Në lidhje me këtë rekomandojmë që si anëtarë të jenë; Emira Lushi kryesuese, Xhemajl Peqani anëtar dhe Rilind Kryeziu anëtar”, tha Besnik Buzhala.
Tutje ai tha se fletëvotimet për votuesit jashtë vendit nuk mund të dërgohen para datës 21 dhjetor.
“Para datës 21 ne nuk mundemi me i dërgu këto me i nis pakot me fletëvotime për votuesit jashtë Kosovës që regjistrohen suksesshëm për votim në zgjedhje që mbahen me 28 dhjetor”, tha ai./KosovaPress/