Sot fillon regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës
Sot zyrtarisht ka nisur periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.
Sipas tij, afati 11-ditor i aplikimit do të zgjasë nga 26 nëntori deri më 6 dhjetor 2025.
“Gjatë kësaj periudhe 11-ditore, të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Aplikimi mund të bëhet përmes platformës elektronike të KQZ-së https://diaspora.kqz-ks.org ose përmes postës duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë”, deklaroi Elezi për RTK.
Mënyrat e votimit për diasporën
Elezi sqaroi se gjatë procesit të regjistrimit, votuesit mund të zgjedhin njërën prej tre mënyrave të votimit:
- Votimi fizik në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës
- Dërgimi i fletëvotimit përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë
- Dërgimi i fletëvotimit përmes postës në kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës
Ai shtoi se në rast se një përfaqësi diplomatike i arrin kapacitetet maksimale për votuesit fizikë, aplikuesit do të orientohen automatikisht drejt metodave të tjera të votimit përmes postës, sipas parimit të kohës së aplikimit.
Afatet e votimit
- Votimi fizik në përfaqësi diplomatike:
27 dhjetor 2025, një ditë para votimit në Kosovë. - Votimi përmes postës:
Fillon më 12 dhjetor dhe përfundon më 27 dhjetor 2025.
Me hapjen e këtij procesi, KQZ fton të gjithë qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës dhe të regjistrohen brenda afatit të caktuar.