Ndalohet sasi municioni në Pikën Kufitare Jarinjë

19.11.2025

Gjatë një kontrolli rutinë në pikëkalimin kufitar Jarinjë, zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë ndaluar një sasi municioni të pa deklaruar.

Municioni u gjet në çantën e pasagjerit të një automjeti që po hynte në vend, pavarësisht se ky i fundit kishte mohuar paraprakisht të posedonte ndonjë artikull për deklarim.

Sasia e ndaluar përbëhej nga dy pako me fishekë gjuetie të kalibrave të ndryshëm, të cilat janë mallra të ndaluara sipas ligjit. Rasti është dorëzuar menjëherë në Policinë e Kosovës për procedura të mëtejshme ligjore.

Dogana e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë kontrollin e rregullt të automjeteve në pikat kufitare, me qëllim garantimin e sigurisë dhe respektimin e ligjeve të vendit.