Dy këmbësorë goditen nga një veturë në Prizren, njëri pëson lëndime të rënda
Dy persona kanë mbetur të lënduar mbrëmjen e së premtes në Prizren, pasi janë goditur nga një veturë në rrugën “Wesley Clark”, rreth orës 20:45. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Sipas tij, njëri prej të lënduarve ka pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa tjetri ka marrë lëndime më të lehta. Të dy janë dërguar menjëherë për trajtim mjekësor dhe ndodhen nën kujdesin e stafit shëndetësor.
“Vetura ka goditur dy këmbësorë në rrugën ‘Wesley Clark’ në Prizren rreth orës 20:45. Njëri prej viktimave ka pësuar lëndime më të rënda, njëri më të lehta dhe janë dërguar për trajtim mjekësor. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes”, deklaroi Bytyqi.
Policia e Kosovës ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit dhe për të identifikuar përgjegjësinë në këtë ngjarje.