Tre shoferë gjobiten me nga 300 euro dhe mbeten pa patentë për 3 muaj

13.11.2025

Policia e Kosovës ka ndëshkuar tre shoferë për kundërvajtje të rënda në komunikacionin rrugor në rajonin e Ferizajt, pasi u kapën duke ngarë me shpejtësi shumë më të lartë se kufiri i lejuar.

Sipas njoftimit të Njësisë së Komunikacionit Rrugor në Ferizaj, rastet janë regjistruar më 11 dhe 12 nëntor, gjatë kontrolleve të rregullta në rrugët magjistrale dhe transitore të rajonit.

Rasti i parë ka ndodhur më 11.11.2025, rreth orës 21:20, në rrugën Ferizaj – Prishtinë, në fshatin Babush, ku kufiri i shpejtësisë është 50 km/h. Policia ndaloi shoferin A.B. (22 vjeç), i cili me automjetin VW Golf po udhëtonte me 124 km/h – më shumë se dyfishin e kufirit të lejuar.

Ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 300 eurosh, 3 pikë negative, si dhe masë mbrojtëse – heqje e patentë shoferit për 3 muaj.

Dy rastet e tjera janë evidentuar më 12.11.2025, rreth orës 18:30, në rrugën Shtime – Belincë, ku kufiri i shpejtësisë është 60 km/h.
Policia ndaloi:

  • J.C. (39 vjeç), i cili me Audi po voziste me 123 km/h, dhe
  • D.A. (26 vjeç), gjithashtu me Audi, që po udhëtonte me 126 km/h.

Të dy shoferët janë ndëshkuar me nga 300 euro gjobë dhe heqje të patentës për 3 muaj. Njëri prej tyre nuk është penalizuar me pikë negative, pasi posedonte patentë shoferi të huaj.

Policia Rajonale e Ferizajt ka apeluar tek të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe rregullat e komunikacionit rrugor, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë dhe parandalimin e aksidenteve fatale.