Vrasja e dyfishtë në Malishevë – i dyshuari gjatë arrestimit kapet me dy armë zjarri

07.11.2025

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person të dyshuar për rastin e vrasjes së dy vëllezërve në fshatin Gollubovc të Malishevës, që ka ndodhur dje, më 6 nëntor 2025.

Sipas njoftimit zyrtar, rasti ka ndodhur rreth orës 11:30, kur njësitë policore janë njoftuar për një vrasje të dyfishtë në këtë fshat. Viktimat janë dy persona të gjinisë mashkullore, të moshës madhore dhe vëllezër mes vete.

Menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitë e nevojshme të Policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku gjatë ekzaminimeve janë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri që dyshohet të jenë përdorur në kryerjen e krimit.

Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorit të dyshuar.

Sot në mëngjes, më 7 nëntor 2025, rreth orës 06:25, në fshatin Pllaqicë, policia ka arritur të arrestojë të dyshuarin A. I. (1983), mashkull kosovar. Pas arrestimit, i dyshuari ka marrë trajtim mjekësor, pasi ka pasur plagë që dyshohet të jenë shkaktuar nga arma e zjarrit. Ai është dërguar për trajtim të mëtejmë mjekësor.

Hetimet për këtë rast të rëndë janë ende në zhvillim dhe po udhëhiqen në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorin e Shtetit, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.