Dy të rinj lëndohen rëndë në Suharekë, 17-vjeçari E.K dyshohet për sulm me thikë

04.11.2025

Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në Suharekë, ku një përleshje mes të miturve ka përfunduar me dy persona të lënduar rëndë.

Ngjarja është cilësuar si “Lëndim i rëndë trupor”, ndërsa një i mitur është ndaluar për 24 orë.

Sipas informatave, rasti ka ndodhur më 3 nëntor 2025, rreth orës 19:00, në rrugën “Brigada 123” në Suharekë, ku tre të mitur janë përfshirë në një përleshje fizike, gjatë së cilës është përdorur mjet i mprehtë – thikë.

Nga përleshja kanë mbetur të lënduar B.C. (rreth 17-vjeçar) dhe U.C. (rreth 18-vjeçar). Të dy janë transportuar në Urgjencën e Suharekës për trajtim mjekësor, ndërsa për shkak të gjendjes së rënduar, B.C. është dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku ndodhet nën kujdes intensiv, por jashtë rrezikut për jetë.

Hetimet e para tregojnë se konflikti ka shpërthyer për motive të ulëta, ndërsa i dyshuari E.K. (rreth 17-vjeçar) është ndaluar për 24 orë me vendim të Prokurorit Kujdestar për Krime të Rënda.

I dyshuari është intervistuar në prani të prindit dhe avokatit mbrojtës, ndërsa njësitë policore dhe forenzike kanë dalë në vendin e ngjarjes për sigurimin e provave materiale.

Aktualisht, Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore po vazhdojnë me hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të përleshjes, e cila ka tronditur opinionin në qytetin e Suharekës.