FOTO – Ariu futet në autostradë në Duhël, goditet për vdekje nga dy vetura – lëndohet një pasagjer
Një aksident i pazakontë ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në autostradën “Ibrahim Rugova”, në afërsi të fshatit Duhel të Suharekës.
Rreth orës 19:00, dy automjete që po lëviznin në këtë segment janë përfshirë në një aksident pasi kanë goditur një ari që kishte hyrë në autostradë. Përplasja ka rezultuar fatale për kafshën e egër, ndërsa dy automjetet kanë pësuar dëme të konsiderueshme materiale.
Si pasojë e goditjes, njëri nga pasagjerët ka marrë lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor. Gjendja e tij thuhet të jetë jashtë rrezikut për jetë.
Ky incident ka shkaktuar shqetësim tek drejtuesit e automjeteve që po qarkullonin në atë kohë, ndërsa autoritetet relevante kanë dalë në vendngjarje për të menaxhuar situatën dhe për të marrë masat e nevojshme.
Rastet e daljes së kafshëve të egra në rrugët dhe autostradat e vendit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, duke rritur nevojën për kujdes të shtuar nga drejtuesit e automjeteve, veçanërisht në zonat e afërta me habitatet natyrore.


