Humb jetën 23-vjeçari që ra nga kati i gjashtë i një ndërtese
Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik më 24 tetor, ku një i ri nga Vitia, Rinor Haxhiu, vetëm 23 vjeç, ka humbur jetën tragjikisht pasi ra nga kati i gjashtë i një ndërtese në ndërtim në qytetin e Gjilanit.

Lajmin për vdekjen e të riut e kanë konfirmuar zyrtarisht nga Komuna e Vitisë, qyteti prej nga ishte i ndjeri.
Me rastin e kësaj humbjeje të madhe, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Haxhiu, duke e cilësuar ndarjen e Rinorit si një humbje të madhe jo vetëm për familjen, por për gjithë komunitetin.
Në mesazhin e tij të ngushëllimit, Haliti ka shkruar:
“E nderuara familje Haxhiu,
Me rastin e ndarjes nga jeta të më të dashurit tuaj, Rinor Haxhiu, ju shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta. Largimi i tij i hershëm nga kjo botë ka prekur zemrat tona thellë dhe ka lënë boshllëk të madh tek të gjithë ata që e njohën dhe e deshën.
Në këto çaste të dhimbjes e pikëllimit, ne bashkë ndjejmë me ju në këtë humbje të madhe. Kujtimi për Rinorin do të mbetet i gjallë përherë në mendjet dhe zemrat tona.
Ngushëllime të sinqerta familjes Haxhiu, miqve dhe të afërmve të tij.
— Sinqerisht, Sokol Haliti, Kryetar i Komunës së Vitisë.”
Ndërkohë, autoritetet përkatëse po vazhdojnë hetimet për të sqaruar në detaje rrethanat e aksidentit tragjik dhe çdo element tjetër që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të rastit.
Kjo ngjarje ka prekur thellë qytetarët e komunës së Vitisë dhe më gjerë, ndërsa në rrjete sociale janë publikuar qindra mesazhe ngushëllimi për të ndjerin, i cili përshkruhet si një i ri punëtor, i qetë dhe shumë i respektuar nga bashkëmoshatarët e tij.