Prizren, bie nga skeletet e objektit në ndërtim, humb jetën 34-vjeçari nga Malisheva

29.10.2025

Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në lagjen “Bajram Curri” në Prizren, ku një punëtor ndërtimi ka humbur jetën si pasojë e rënies nga skeletet e një objekti në ndërtim.

Sipas portalit Urgjent.com, më datë 29 tetor 2025, rreth orës 13:30, viktima F.A., 34-vjeçar nga fshati Caravik i Malishevës, ka pësuar lëndime të rënda trupore gjatë punës. Ai është dërguar fillimisht në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit në gjendje kritike për jetën, ndërsa më vonë, rreth orës 16:30, autoritetet kanë konfirmuar se ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Në lidhje me rastin, pronari i kompanisë ndërtimore, i identifikuar me inicialet N.B., është ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit, nën dyshimin për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi apo heqja e pajisjeve dhe rrezikimi në vendin e punës”.

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, Inspektoratin e Punës dhe njësitë e specializuara hetimore, ka njoftuar se po kryhen të gjitha ekzaminimet dhe veprimet ligjore për të zbuluar rrethanat e plota të incidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore.