Dy shoferëve, 26 dhe 27 vjeç, u pezullohet patentë-shoferi për 12 muaj
Njësiti i Komunikacionit Rrugor në Ferizaj ka ndërmarrë masa ndaj dy shoferëve që kishin arritur kufirin maksimal të pikëve negative të lejuara me ligj.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, gjatë kontrolleve të rregullta në trafik, janë identifikuar dhe ndëshkuar dy persona që kishin grumbulluar pikë negative për kundërvajtje të ndryshme në komunikacion.
Shoferi A.S. (26 vjeç) është ndëshkuar me masën mbrojtëse të ndalimit të ngasjes së automjetit për 12 muaj, pasi për dy kundërvajtje të kryera kishte arritur gjithsej 10 pikë negative. Ndërsa F.Z. (27 vjeç) ka marrë të njëjtën masë ndëshkuese, pasi për pesë kundërvajtje kishte grumbulluar 9 pikë negative.
Policia ka bërë të ditur se këto masa janë ndërmarrë në kuadër të angazhimeve për rritjen e sigurisë në komunikacion dhe për parandalimin e aksidenteve, të cilat shpesh shkaktohen nga mosrespektimi i rregullave rrugore.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj u ka bërë apel të gjithë shoferëve që të respektojnë normat dhe rregullat e trafikut rrugor, me qëllim të ruajtjes së jetës dhe pronës në komunikacion.
Po ashtu, policia ka inkurajuar qytetarët që çdo kundërvajtje të vërejtur në trafik ta raportojnë në stacionin më të afërt të policisë, përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” ose duke telefonuar në numrin 192.
Autoritetet kanë theksuar se të gjitha të dhënat e raportuara trajtohen me konfidencialitet të plotë, duke u garantuar qytetarëve anonimitet të sigurt gjatë raportimit.