Përleshje mes gjashtë personave – konfiskohet substancë e dyshuar narkotike

16.10.2025

Një përleshje mes gjashtë personave ka ndodhur pasditen e së martës në qytetin e Vitisë, ku si pasojë të gjithë të përfshirët kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë kërkuar trajtim mjekësor.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, incidenti ka ndodhur rreth orës 14:30, kur pas një mosmarrëveshjeje, gjashtë meshkuj kosovarë janë përleshur fizikisht në mes veti.

Gjatë intervenimit të njësive policore në vendin e ngjarjes, është gjetur dhe konfiskuar edhe një sasi prej 5.38 gramësh e një substance të dyshuar narkotike, duke ngritur më tej dyshimet për përfshirje në veprimtari të paligjshme.

Me urdhër të prokurorit të rastit, të gjashtë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme hetimore.