Tentuan të rrëmbejnë të miturën para nënës së saj – arrestohen dy persona të dehur

11.10.2025

Një ngjarje e rëndë është raportuar më 10 tetor 2025 në Mitrovicën e Veriut, ku dy persona të dyshuar tentuan të rrëmbejnë një vajzë të mitur, ndërkohë që ajo ishte në shoqëri të nënës së saj.

Rasti ka ndodhur rreth orës 18:15 në rrugën “Zveçanska”, ku një automjet me dy persona të panjohur ka ndaluar pranë tyre dhe të dyshuarit i kanë kërkuar të miturës J.S. që të hipte në veturën e tyre.

E mitura ka reaguar me shpejtësi duke i incizuar të dyshuarit me telefonin e saj dhe më pas ka njoftuar Policinë e Kosovës, e cila ka reaguar menjëherë. Ndërkohë, të dyshuarit ishin larguar në drejtim të panjohur.

Falë veprimeve të shpejta operative dhe hetimore, njësitë policore arritën që brenda pak orësh të identifikojnë dhe arrestojnë dy të dyshuarit në zonën e Mitrovicës së Jugut:

  • A.P. (i lindur më 1984) – u arrestua rreth orës 19:55 dhe pas testimit me alkool-test rezultoi se ishte nën ndikimin e alkoolit me 1.04‰.
  • G.M. (i lindur më 1989) – u arrestua rreth orës 20:55 dhe kishte 0.66‰ alkool në gjak.

Policia e Kosovës konfirmoi se arrestimi i tyre u bë mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm dhe provave të siguruara në vendin e ngjarjes. Me urdhër të prokurorit të shtetit, ndaj të dyshuarve është iniciuar rasti për veprën penale “Rrëmbim në tentativë në bashkëkryerje”, ndërsa ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Për shkak të faktit se të dy personat ishin nën ndikimin e alkoolit në momentin e arrestimit, intervistimi i tyre pritet të vazhdojë në ditët në vijim.