Marihuana po “rrënjoset” në Suharekë, dy të rinj bien në prangat e Policisë

06.10.2025

Rritja e rasteve të kapjes me lëndë narkotike, veçanërisht marihuanë, po shënon rritje shqetësuese në Komunën e Suharekës.

Marihuana po “rrënjoset” në Suharekë, dy të rinj bien në prangat e Policisë Foto: Stacioni i Policisë

Të rinjtë, të përfshirë në raste të posedimit dhe shpërndarjes së substancave të ndaluara, po bëhen target kryesor i Policisë së Kosovës, që po intensifikon operacionet në terren.

Vetëm gjatë ditëve të fundit, dy raste të ndara në Suharekë kanë përfunduar me arrestimin e dy personave të moshave 19 dhe 21 vjeç, tek të cilët janë gjetur sasi të konsiderueshme marihuane.

Shirokë – 17 qese me marihuanë, të gatshme për shpërndarje

Në rastin e parë, më 3 tetor 2025, rreth orës 19:10 në fshatin Shirokë, Njësia për Hetimin e Narkotikëve në Prizren ka ndaluar të dyshuarin R. Kuçi, rreth 20-vjeçar, gjatë një kontrolli të zakonshëm. Gjatë kontrollit trupor, policia ka zbuluar:

  • 17 qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë totale 41.35 gramë;
  • Një telefon celular iPhone 11 Pro Max.

Pas arrestimit, i dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor të Suharekës, ndërkohë që me urdhër të Prokurorit për Krime të Rënda në Prizren është kryer kontroll në shtëpinë dhe ambientet përcjellëse të të dyshuarit, në rrugën “Skënderbeu” në Suharekë. Gjatë bastisjes nuk është gjetur ndonjë provë shtesë.

Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, Prokuroria Themelore në Prizren ka urdhëruar ndalimin e tij për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale:

“Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave psikotrope dhe analoge.”

Reqan – Marihuana e fshehur në kavanoz me ajvar

Në një rast tjetër të ndodhur po në Komunën e Suharekës, në fshatin Reqan, Policia ka realizuar një tjetër aksion që ka rezultuar me arrestimin e një 21-vjeçari, i identifikuar si E.B.

Gjatë kontrollit të kryer nga njësiti i antidrogës, tek i dyshuari janë gjetur:

  • 56.52 gramë substancë e dyshuar narkotike marihuanë,
  • E fshehur në një kavanoz qelqi, mbështjellë me qese dhe kamufluar me ajvar, me qëllim që të shmangte zbulimin nga autoritetet.

Po ashtu, është sekuestruar edhe një telefon celular, që dyshohet se ka lidhje me aktivitetin e tij të paligjshëm.

Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa ndaj tij po zhvillohen hetime për veprën penale:

“Posedim i paautorizuar i substancave narkotike, psikotrope ose analoge.”