Tri raste të dhunës në familje gjatë të dielës, viktima dy femra e një mashkull

06.10.2025

Tri raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në Obiliq, Pejë dhe Gjakovë. Lidhur me këto raste, një person u dërgua në mbajtje, kurse dy të tjerë u liruan në procedurë të rregullt.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë, në Obiliq një burrë dyshohet se sulmoi një grua dhe u largua nga vendi i ngjarjes.

“Obiliq / 05.10.2025 – 02:00. Është raportuar se ankuesja femër kosovare është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes dhe gjendet në kërkim policor”, thuhet në njoftim.

Në Pejë, dy persona janë arrestuar nën dyshimin se kanë ofenduar, kanosur dhe kanë tentuar ta godasin familjarin e tyre.

“Pejë / 05.10.2025 – 14:30. Janë arrestuar dy të dyshuar kosovarë nën dyshimin se të njëjtit pas një mosmarrëveshje kanë ushtruar dhunë ndaj viktimës mashkull kosovar, duke e ofenduar, kanosur dhe duke tentuar ta godasin. Lidhur me rastin të dyshuarit pas intervistimit në konsultim me prokurorin janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, në Gjakovë një grua dyshohet se u sulmua nga një person, i cili më pas u arrestua dhe u dërgua në mbajtje.

“Gjakovë / 05.10.2025 – 08:30. Është raportuar se ankuesja femër kosovare është sulmuar fizikisht nga dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, njofton Policia.