Babai raporton djalin për dhunë në familje, i dyshuari nën ndikimin e drogës
Një rast i rëndë i dhunës në familje është raportuar në Fushë Kosovë, ku një baba ka njoftuar Policinë e Kosovës se djali i tij ka ushtruar dhunë fizike ndaj tij.
Sipas viktimës, dhuna nuk është rast i izoluar, por ka ndodhur edhe më herët.
Babai ka deklaruar se i biri ka qenë nën ndikim të substancave narkotike dhe shpesh bëhet agresiv, sidomos kur kërkon para. Ai ka shtuar se këto episode të sjelljes së dhunshme janë të përsëritura.
“Viktima mashkull kosovar, ka raportuar se djali i tij, i dyshuari mashkull kosovar, kishte ushtruar dhunë ndaj tij. Sipas viktimës i dyshuari ka qenë nën ndikim të substancave narkotike dhe i njëjti shpesh bën këso veprimesh, kërkon para dhe bëhet agresiv. Si pasojë e dhunës viktima ka pranuar tretman mjekësor, kurse i dyshuari nuk është hasur nga policia. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.
Policia është në kërkim të të dyshuarit, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë. Dhuna në familje mbetet një ndër problemet më të theksuara të sigurisë në vend, për të cilin autoritetet apelojnë për raportim të menjëhershëm në çdo situatë të ngjashme.