Gruaja ndalohet për 48 orë pasi dyshohet se ushtroi dhunë psikike ndaj bashkëshortit

20.12.2025

Një rast i dhunës në familje është raportuar në orët e para të mëngjesit të 19 dhjetorit 2025 në fshatin Gadime e Ulët të Lipjanit.

Bëhet e ditur se rreth orës 00:30, Policia e Kosovës ka pranuar informatën për një incident brenda familjes, ku ankuesi Xh.T ka deklaruar se bashkëshortja e tij, R.T, dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj tij.

Sipas deklarimeve, e dyshuara dyshohet se ka demoluar shtëpinë, duke thyer dyert e objektit të banimit. Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale.

E dyshuara është intervistuar nga njësiti i dhunës në familje, ndërsa për rastin është njoftuar Prokurori Kujdestar, i cili ka udhëzuar që rasti të inicohet si “Dhunë në familje”.

Me vendim të Prokurorit, R.T., është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Ndalimit.

Rasti mbetet nën hetime.