Prizren, 318 raste të dhunës në familje gjatë këtij viti, diskutohen sfidat dhe masat mbrojtëse

11.12.2025

Në Prizren është mbajtur takimi i rregullt dhe njëkohësisht përmbyllës për vitin 2025 i mekanizmit koordinues që trajton rastet dhe veprat penale të dhunës në familje nën kompetencën e Prokurorisë Themelore në Prizren.

Takimi është organizuar nga prokurorja dhe koordinatorja për rastet e dhunës në familje, znj. Mehreme Hoxha, me mbështetjen e OSBE-së.

Në takim morën pjesë prokurorja/koordinatorja znj. Elfete Purova, përfaqësues nga Gjykata Themelore e Prizrenit, Policia e Kosovës – Rajoni i Prizrenit, Qendra për Punë Sociale, Shërbimi Sprovues, mbrojtës të viktimave, përfaqësues nga Avokati i Popullit, Zyra për Ndihmë Juridike Falas, Spitali i Prizrenit, përfaqësues nga Kuvendi Komunal i Prizrenit, si dhe organizata të shoqërisë civile.

318 kallëzime penale dhe 263 lëndë të përfunduara në periudhën janar–nëntor 2025

Prokurorja Mehreme Hoxha ka bërë të ditur se gjatë periudhës janar–nëntor të vitit 2025, Prokuroria Themelore në Prizren ka pranuar gjithsej 318 kallëzime penale lidhur me veprat e dhunës në familje, ndërsa gjatë të njëjtës periudhë janë trajtuar dhe përfunduar 263 lëndë të kësaj natyre.

Institucionet vlerësojnë bashkëpunimin, por evidentojnë sfida

Pjesëmarrësit e takimit kanë vlerësuar nivelin e lartë të bashkëpunimit ndërinstitucional në trajtimin e rasteve të dhunës në familje, duke theksuar se koordinimi mes institucioneve mbetet thelbësor për trajtim efektiv dhe mbrojtje të viktimave.

Drejtori i Policisë Rajonale në Prizren, kolonel Faton Alija, gjykatës, zyrtarë policorë dhe përfaqësues të tjerë institucionalë kanë përmendur sfida të vazhdueshme, përfshirë rastet e viktimave të ndjeshme, viktimat e përsëritura dhe vështirësitë operative gjatë hetimit dhe ofrimit të mbrojtjes.

Theksi në masat mbrojtëse dhe zbatimin e tyre efektiv

Një pikë kyçe e takimit ishte diskutimi rreth masave mbrojtëse sipas Ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore. U theksua rëndësia e zbatimit korrekt dhe efikas të këtyre masave, të cilat janë në juridiksion të Gjykatës.

Pjesëmarrësit diskutuan edhe zbatimin e dënimeve plotësuese të përcaktuara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, si ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike apo ndalimi i ushtrimit të profesionit, kur këto masa janë të domosdoshme për mbrojtjen e viktimave – veçanërisht në rastet ku kryesi është person zyrtar.

Fondi emergjent për mbështetje të viktimave

Në takim u trajtua edhe zbatimi praktik i Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Drejtësisë nr. 02/2025, i cili përcakton procedurat për ofrimin e shërbimeve nga fondi emergjent për viktimat gjatë qëndrimit të tyre në polici. Pjesëmarrësit theksuan se zbatimi i saktë i këtij udhëzimi është thelbësor për mbështetjen e menjëhershme të viktimave të dhunës në familje.

Dakordim për vazhdimin e bashkëpunimit

Në përfundim të takimit, të pranishmit u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional, me qëllim përmbushjen e përgjegjësive ligjore me profesionalizëm, si dhe sigurimin e trajtimit dinjitoz dhe profesional për të gjitha viktimat e dhunës në familje.

Ky takim përmbyllës për vitin 2025 shënon një tjetër hap drejt forcimit të mekanizmave të mbrojtjes dhe luftimit të dhunës në familje në komunën e Prizrenit.