Zgjedhjet lokale në Suharekë, 144 kandidatë për 27 ulëse, mbi 5 kandidat për çdo ulëse
Komuna e Suharekës do të hyjë në një garë të ngushtë zgjedhore më 12 tetor, ku 144 kandidatë të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të kërkojnë votën e qytetarëve për t’u bërë pjesë e Kuvendit Komunal.
Ndryshe nga cikli i kaluar, kur Kuvendi kishte 30 ulëse, këtë herë përfaqësuesit e zgjedhur do të jenë vetëm 27, çka e shton edhe më shumë peshën e çdo vote dhe e bën garën më të fortë se kurrë më parë.
Në totalin e kandidatëve, 52 janë gra dhe 92 janë burra, duke e vendosur përfaqësimin e grave në 36.1%. Ky raport, ndonëse ende lë hapësirë për barazi më të madhe, tregon se subjektet politike janë kujdesur të respektojnë kuotat ligjore.
Ndarja e kandidatëve është e qartë: katër partitë kryesore – AAK, PDK, LDK dhe Vetëvendosje – kanë hyrë në garë secila me nga 30 kandidatë, duke shënuar një balancë në numra, por jo domosdoshmërisht në barazi gjinore. NISMA Socialdemokrate ka prezantuar 14 kandidatë, ndërsa lista e GUXO-s numëron 10 emra.
Përfaqësimi i grave ndryshon nga një subjekt në tjetrin. PDK prin me një përqindje më të lartë të grave në listë, 43.3%, ndërsa më pas vjen AAK me 40%. Në anën tjetër, NISMA paraqitet me përfaqësimin më të ulët gjinor, vetëm 28.6% gra, ndërsa GUXO dhe dy partitë e mëdha, LDK dhe Vetëvendosje, mbajnë shifra rreth një të tretës së listës.
| Subjekti politik | Nr. i kandidatëve | Gra | % Gra | Burra | % Burra |
|---|---|---|---|---|---|
| AAK | 30 | 12 | 40.0% | 18 | 60.0% |
| PDK | 30 | 13 | 43.3% | 17 | 56.7% |
| LDK | 30 | 10 | 33.3% | 20 | 66.7% |
| Vetëvendosje | 30 | 10 | 33.3% | 20 | 66.7% |
| NISMA | 14 | 4 | 28.6% | 10 | 71.4% |
| GUXO | 10 | 3 | 30.0% | 7 | 70.0% |
| Totali | 144 | 52 | 36.1% | 92 | 63.9% |
Në zgjedhjet e kaluara lokale, Kuvendi i Suharekës kishte 30 ulëse. Reduktimi në 27 vende do të thotë se konkurrenca është rritur ndjeshëm: sot ka mbi 5 kandidatë për çdo ulëse. Kjo e bën Kuvendin Komunal të Suharekës një prej institucioneve ku gara do të jetë më e ngushta në vend.
Përveç shifrave, gara në Suharekë mbart edhe një simbolikë tjetër: mënyrën se si qytetarët do të shpërndajnë besimin e tyre mes partive që historikisht kanë qenë të forta në këtë komunë dhe atyre që synojnë të forcojnë praninë e tyre në jetën politike lokale.