Përplasjet në Asamble, LDK-Suharekë: Deklaratat e Ramadanit u keqinterpretuan
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në Therandë ka reaguar pas publikimeve të fundit lidhur me debatin e zhvilluar në seancën e Kuvendit Komunal, duke sqaruar se deklaratat e asamblistit Nexhat Ramadani janë keqinterpretuar dhe nxjerrë jashtë kontekstit.
Foto: Ilustrim
Sipas LDK-së, gjatë diskutimit për Kornizën Afatmesme Buxhetore 2027-2029, Ramadani është ndërprerë vazhdimisht nga asamblistë të pushtetit, të cilët, sipas tyre, kanë tentuar t’ia pamundësojnë shprehjen e qëndrimeve të tij.
Në reagim thuhet se pretendimet për krahasime të papranueshme nga ana e asamblistit janë përpjekje për të larguar vëmendjen nga temat kryesore të debatit. LDK thekson se Ramadani e ka sqaruar disa herë qëndrimin e tij gjatë seancës dhe ka kërkuar falje në rast se dikush është ndjerë i ofenduar nga interpretimi i fjalëve të tij.
Sipas opozitës, fokusi i debatit duhej të ishte te mangësitë e evidentuara në Kornizën Afatmesme Buxhetore, si dhe te Raporti i Auditimit për vitin 2025, i cili, sipas tyre, ka dhënë vlerësim negativ për menaxhimin dhe shpenzimin e buxhetit komunal.
LDK u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e, siç i quan ajo, keqinterpretimeve të qëllimshme, duke insistuar se problemet që prekin buxhetin komunal nuk mund të mbulohen me polemika dhe akuza politike.
