Aksident i rëndë trafiku në Prizren, përplasen tetë vetura në rrugën drejt Vermicës, tre persona dërgohen në spital

17.09.2025

Një aksident trafiku ka ndodhur gjatë ditës së sotme në kilometrin e dytë të rrugës Zhur – Prizren, në drejtim të pikëkalimit kufitar të Vërmicës, ku janë përfshirë tetë automjete.

Si pasojë e këtij aksidenti, tre persona kanë mbetur të lënduar dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha. “Sipas raportimeve të deritanishme, në kilometrin e dytë (fshati Zhur – Prizren), në drejtim të Pikëkalimit kufitar Vermicë, si pasojë e një aksidenti me tetë vetura rruga është bllokuar përkohësisht. Tre persona raportohet se kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar për trajtim mjekësor”, tha Hoxha.

Qarkullimi është devijuar në rrugë alternative deri në normalizimin e situatës. Policia ka apeluar tek shoferët që të kenë kujdes të shtuar gjatë vozitjes dhe të respektojnë rregullat e trafikut.

“Apelojmë tek të gjithë shoferët, që gjatë vozitjes të respektojnë rregullat e trafikut, të zvogëlojnë shpejtësinë dhe të tregojnë kujdes të shtuar për sigurinë e tyre dhe të tjerëve”, ka shtuar Hoxha.