Garat e çiklizmit “Tour of Kosovo 2025” sjellin ndërprerje të qarkullimit në Suharekë, Prizren dhe rajone të tjera
Policia e Kosovës ka njoftuar për ndërprerje të kohëpaskohshme të qarkullimit rrugor në disa segmente të vendit, për shkak të mbajtjes së garave ndërkombëtare të çiklizmit “Tour of Kosovo 2025”, të cilat zhvillohen nga data 4 deri më 6 shtator.
Sipas njoftimit zyrtar, kufizimet do të prekin edhe qytetet e Suharekës dhe Prizrenit, pjesë e itinerarit të garës që për tri ditë do të kalojë në disa akse kryesore rrugore të rajonit dhe më gjerë.
Etapa e parë zhvillohet më 4 shtator, nga ora 12:00 deri në 15:00. Gara nis në autostradën Veternik dhe vazhdon përmes Bresjes, Komoranit, Gjergjicës, Malishevës, Duhlit, Suharekës, Prizrenit deri në Vërmicë e më pas rikthehet në të njëjtën itinerar, me përfundim në dalje të autostradës në Malishevë (km 52).
Etapa e dytë mbahet më 5 shtator, nga ora 11:00 deri 15:00. Nisja bëhet nga pika kufitare në Vërmicë dhe vazhdon nëpër Prizren, Suharekë, Duhël, Malishevë, Komoran, Fushë Kosovë, Uglarë, Lipjan, Babush, Bibaj, Kaçanik, me përfundim në Han të Elezit.
Etapa e tretë zhvillohet më 6 shtator, nga ora 11:00 deri 15:00. Çiklistët nisen nga Hani i Elezit dhe përshkojnë itinerarin Kaçanik, Bibaj, Lipjan, Uglarë, Komoran, Malishevë, Duhël, Suharekë, Prizren, Zhur, Vërmicë (kthim), për të përfunduar në kilometrin e 10-të të autostradës në Vlashnje, ku edhe do të mbahet ceremonia e mbylljes.
Policia apelon tek qytetarët dhe veçanërisht shoferët që të kenë mirëkuptim gjatë orareve të garave, pasi në këto segmente rrugore do të ketë ndërprerje të përkohshme dhe ngadalësim të trafikut. Shoferët inkurajohen të shfrytëzojnë rrugë alternative aty ku është e mundur.