Prizren, policia godet skemat piramidale dhe bixhozin e paligjshëm, arrestohen pesë persona

20.08.2025

Policia e Kosovës ka realizuar një aksion të suksesshëm në rrugën “Haxhi Zeka” në Prizren, pas dyshimeve për organizim të skemave piramidale dhe zhvillim të bixhozit të paligjshëm.

Si rezultat i një pune intenzive hetimore, njësitë policore kanë ushtruar kontrolle në disa lokacione, ku dyshohej se pronarë dhe punëtorë lokalesh po mundësonin lojëra fati në kundërshtim me ligjin. Gjatë aksionit janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi të ndryshme që konfirmojnë dyshimet për veprime penale.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, janë arrestuar pesë persona të dyshuar meshkuj kosovarë, ku dy janë ndaluar, ndërsa tre të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

Hetimet për këtë rast janë ende në vazhdim, ndërkohë policia ka paralajmëruar se do të ndërmarrë masa të mëtejshme ndaj çdo subjekti që përfshihet në aktivitete të paligjshme të kësaj natyre.