Zbulohen produkte kozmetike të padeklaruara në Aeroportin e Prishtinës

04.08.2025

Gjatë kontrolleve rutinore në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, zyrtarët doganorë kanë zbuluar një rast të tentativës për futje të mallrave të padeklaruara, me një vlerë të përgjithshme prej 3,264 euro.

Dy udhëtarë që kishin arritur nga Stambolli janë selektuar për kontroll pas analizës së rrezikut dhe vëzhgimit të sjelljes së tyre. Gjatë kontrollit të detajuar përmes skanerit dhe inspektimit fizik të bagazheve, janë zbuluar:

  • Produkte kozmetike
  • Ambalazhe me mbishkrime të brendeve të ndryshme
  • Ngjitëse/stikera me mbishkrime komerciale

Të gjitha mallrat janë ndaluar përkohësisht, ndërkohë që ndaj personave të përfshirë ka filluar procedura kundërvajtëse sipas legjislacionit në fuqi.

Dogana e Kosovës u bën thirrje të gjithë udhëtarëve që të respektojnë obligimin për deklarimin e mallrave në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës. Sipas ligjit, mosdeklarimi përbën shkelje serioze, që mund të rezultojë me gjoba administrative dhe konfiskim të mallrave.