Suhareka dhe Prizreni drejt bashkëpunimit për shërbime më të mira në shëndetin mendor
Në kuadër të përpjekjeve për forcimin e shërbimeve të shëndetit mendor në Komunën e Suharekës, sot është mbajtur një takim pune ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve relevante shëndetësore nga Suhareka dhe Prizreni.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Qendrës së Shëndetit Mendor në Prizren, përkatësisht drejtori Jahir Krasniqi, infermierja Aferdita Kajdomçaj dhe këshilltari psikosocial Agim Bytyqi. Nga Suhareka, pjesë e këtij takimi ishte edhe kryeinfermierja e QKMF-së, znj. Mimoza Bajraktari, e cila ka qenë edhe inicuesja e këtij bashkëpunimi. Takimi u zhvillua në prani të nënkryetares së Komunës së Suharekës, znj. Mihrije Suka.
Qëllimi i këtij takimi ishte shkëmbimi i përvojave profesionale dhe identifikimi i formave të bashkëpunimit institucional në trajtimin e rasteve të shëndetit mendor, me theks të veçantë tek ata qytetarë që kanë nevojë për kujdes të vazhdueshëm dhe mbështetje të specializuar.
Komuna e Suharekës ka shprehur angazhimin e saj të vazhdueshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve në fushën e shëndetit mendor, duke synuar ndërtimin e një sistemi më gjithëpërfshirës dhe të qasshëm për të gjithë qytetarët që përballen me sfida të kësaj natyre.
Ky takim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt krijimit të mekanizmave më efikasë për përkujdesjen psikosociale dhe bashkërendimin institucional në këtë fushë jetike për mirëqenien e qytetarëve të Komunës së Suharekës.